Mbrëmjen e kësaj të marte, Tirana është tronditur nga shpërthimi i një tritoli, ku për pasojë mbeti i plagosur, Preng Gjini.
Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka folur për këtë ngjarje në emisionin “Open”.
I pyetur nëse ka grupe të strukturuara kriminale në vend Lleshaj tha se janë të pranishme, ndërsa shtoi se në lidhje me këtë ngjarje policia dështoi në parandalimin e saj.
“Sigurisht që këto grupe kanë mjetet e tyre, eksplozivet janë një nga këto. Grupet kanë ekzistuar , janë rralluar sepse janë ndëshkuar, por nuk përjashtoj ekzistencën e celulave të tilla. Kemi 330 raste armësh të kapura, çështja është që të vendosim gjithë mekanizmat që të minimizojmë veprimtarinë e tyre”, tha Lleshaj.
Gjithashtu ministri i Brendshëm pohoi se, këto janë ngjarje që kanë parahistori.
“Duhet ta pranojmë se policia e shtetit ka dështuar në parandalimin e kësaj ngjarje. Këto janë ngjarje që kanë një parahistori. Është iluzion të pretendojmë se do të parandalojmë të tilla gjëra se do ishim i vetmi vend në botë që do e bënte këtë,” tha më tej Lleshaj.
/abcnews.al/


