“Shqiptari i mirë është vetëm shqiptari i vdekur”, nën këto thirrje raciste “Komitët”, simpatizantët e klubit maqedonas “Vardari”, marshuan duke brohoritur dhe kënduar përgjatë qendrës së Shkupit, dje para ndeshjes mes Vardarit dhe Shkupit.
I vetmi që reagoi për rastin ishte zëvendëskryeministri shqiptar në qeverinë e re të Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi. “Gjuha e urrejtjes dhe brohoritjet e sotme plot mllef të disa të rinjve në mes të Shkupit është për t’u dënuar. Sjellja e tillë nuk ka vend në shoqërinë tonë të re, shoqërinë e barabartë për të gjithë, me vlera euroatlantike. Indoktrinimi i rinisë dhe intoleranca etnike janë me afat të skaduar” tha ai.
Ndërkohë që sot në mbledhjen e qeverisë, Artan Grubi njofton se është diskutuar për incidentin dhe ekzekutivi vendosi që të dënonte rastin.
“Pas reagimit të djeshëm, në seancën e sotme të qeverisë, ndër të tjera, diskutuam edhe incidentin e fundit me gjuhë të urrejtjes të shkaktuar nga një grup tifozësh në Sheshin Maqedonia në Shkup, ku Qeveria miratoi një përfundim për të dënuar ashpër sjelljen e tifozëve që shkakton urrejtje, përçarje dhe intolerancë, mbi baza etnike.
Ministria e Brendshme po ndërmerr aktivitete të duhura për zbardhjen e krimit, për të cilën do të informojë publikun në përputhje me rrethanat” shkruan ai./ Abcnews.al