Një ditë para se kryeministri shqiptar të mbërrijë në Athinë, në vendin fqinj ka shqetësim, pasi vizita e kreut të ekzekutivit shqiptar u parapri nga një takim me presidentin turk, Erdogan. Mediat në Athinë, referuar burimeve nga kabineti Mitsotakis, theksojnë se qeveria greke është e shqetësuar dhe i druhet mundësisë që Erdogan të anulojë paktin Shqipëri-Greqi për kufirin detar.
“Qeveria greke është thellësisht e shqetësuar nga fakti që kryeministri shqiptar Edi Rama, i cili do të vijë nesër në Athinë për t’u takuar me Kyriakos Mitsotakis dhe për të marrë pjesë në konferencën që do të mbahet në Lagonisi, zhvilloi një takim të papritur me presidentin e Turqisë Rexhep Tajip Erdogan.
Rama u nis për në Turqi të Premten pasdite, ku pati një takim me Erdogan ku e sigurt është se është folur për shtrirjen e Greqisë me 12 milje detare në detin Jon. 11 vjet më parë Turqia kishte arriti të anulonte një marrëveshje midis Athinës dhe Tiranës për caktimin e një Zone Ekskluzive Ekonomike në detin Jon.
Nesër, vizita e Edi Ramës në kryeqytetin grek do të zhvillohet në cilësinë e tij si kreu i OSBE-së (Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë), pasi Shqipëria kryeson Organizatën për vitin 2020, për të marrë pjesë në një konferencë të organizuar në Athina” shkruan mediat greke.
Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë një vizitë dy ditore në Athinë, në 15 dhe 16 shtator ku do të marrë pjesë në një konferencë të organizuar për disa çështje mes të cilave kriza në Mesdheun Lindor, emigrantët, koronavirusi, por edhe ekonomia. Ai do të zhvillojë një takim edhe me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis, ku do të flitet edhe për kufirin detar.
db/Abcnews.al