Sulmuesi i Interit, Ivan Perisic, është sërish në shënjestër të Manchester United. “Djajtë e Kuq” kanë disa kohë që janë në merkato për një sulmues krahu dhe kroati është një alternativë shumë e mirë, nëse nuk arrihet marrëveshja për transferimin e Jadon Sanchos në “Old Trafford”.
Sipas raportimit të “The Telegraph”, anësori i Dortmundit kushton më shumë se 100 milionë euro dhe një shifër e tillë në një kohë pandemie konsiderohet shumë e lartë për çdo klub. Kjo është arsyeja se përse drejtuesit e United janë përqëndruar tashmë te Perisic, i cili në sezonin e fundit ishte në huazim tek Bayern Munchen.
31-vjeçari fitoi tripletën me bavarezët, por këta të fundit nuk e aktivizuan opsionin për të blerë kartonin e tij. Nënkampioni i botës është rikthyer në Milano, teksa Antonio Conte nuk e ka në plane. Kartoni i tij vlerësohet diku te 20 milionë euro dhe në ditët e ardhshme pritet një ofertë zyrtare nga ana e Manchesterit në drejtim të Interit. /abcnews.al