Ministrja e Arsimit Besa Shahini ka zgjedhur një prej shkollave pritëse për nxënësit e shkollave që u dëmtuan nga tërmeti për të dhënë një mesazh në ditën e parë të mësimit.
Shahini porositi nxënësit që të mësojnë këtë vit për të dalë me rezultate të mira, duke dëshmuar se pavarësisht sfidave mund t’ia dalim.
“Kalova mëngjesin nëpër shkollat që u hapen sot për herë të parë pas 6 muajsh. Ndalova në gjimnazin “Shote Galica” Fushë-Krujë, shkollë e cila ka marrë të gjitha masat e nevojshme në funksion të protokollove të sigurisë së ruajtjes së shëndetit.
Gjimnazi është shkollë pritëse edhe për nxënësit e 3 shkollave të dëmtuara nga tërmeti, “Sherif Dervishi”, “Bilaj” dhe “Mazhë e Vogël”, deri në rindërtimin e tyre.
Gjatë bashkëbisedimit me nxënësit, më erdhi shumë mirë ndërsa dëgjova prej tyre se janë plotësisht të ndërgjegjshëm mbi respektimin e masave anti-COVID, fakt i cili më ngroh që do ta përballojmë me sukses normalitetin e ri.
I porosita nxënësit të mësojnë fort sivjet, të dalin me rezultate të mira, si dhe të dëshmojnë se përkundër sfidave, ne jemi të qëndrueshëm dhe do t’ja dalim më së miri”, shkruan Shahini./m.v. abcnews.al