Dy zëvendës policie janë qëlluar për vdekje me breshëri plumbash nga një i panjohur teksa po qëndronin në makinën e tyre. Ngjarja ka ndodhur në Los Angeles rreth orës 7:00 pasdite me kohën lokale. Lajmin e ka bërë të ditur sherifi i policisë, Alex Villanueva përmes një postimi në Twiteer.
Sipas një dëshmie fillestare të shkurtër të njërit prej dy të plagosurve, personi që i sulmoi është një person me ngjyrë. Në kohën e sulmit ata ishin në detyrë përpara stacionit Blue Line, linjës së metrosë që lidh Los Anxhelosin me Long Beach. Dy të plagosurit aktualisht ndodhen në spital, në gjendje kritike për jetën për shkak të plagëve të shumta.
Për ngjarjen ka reaguar edhe presidenti i Shteteve të Bashkuar të Amerikës Donald Trump. Ai ka shpërndarë në Twitter videon e sulmit dhe ka shkruar mbi të “Kafshët që duhen goditur fort”. Kjo deklaratë e Trump mund të revoltojë edhe më shumë lëvizjen Black Lives Matter, “Jeta e njerëzve me ngjyrë vlen”, që prej muajsh po protestojnë kundër racizmit.
Amerika u përfshi nga protesta masive pas vrasjes në mënyrë të padrejtë nga policia të afro-amerikanit George Floyd. Deri më tani janë raportuar disa incidente ku policia vendase keqtrajton apo vret në mënyrë të padrejtë njerëz me ngjyrë. Nga qershori e deri më tani qindra persona i janë bashkuar lëvizjes anti-raciste në SHBA duke shkaktuar trazira të shumta./ abcnews.al