Covidi është i rëndë për gjithkënd, por më i vështirë është për ata që janë të izoluar në qeli.
Ndërsa liria iu është hequr, këta persona duhet të përballen më një izolim të dytë, atë të sëmundjes së koronavirusit.
Në burgun e Zaharisë situata paraqitet problematike.
Valentin Macaj kreu i Sindikatës së burgjeve në një intervistë për ABC News tregon për të prekurit në këtë burg nga fillimi i pandemisë.
“Aktualisht janë 7 të dënuar me COVID, të tjetër e kanë kaluar. Janë një grup prej 5 personash që po presin përgjigjen e tamponit. Nuk janë më shumë se 15 të dënuar, me COVID-19”, tregon ai.
Të ekspozuar ndaj virusit janë edhe punonjësit e burgut.
“Transferimi ka qenë pjesë-pjesë sipas kushteve dhe emergjencës. Sa për mjetet, i ngjajnë një flotë të bombarduar nga Lufta e Dytë Botërorë”, shprehet ai.
Kreu i sindikatës ngre edhe një shqetësim tjetër. Transferimin e këtyre pacientëve nga burgu i Zaharisë në atë të Shën Kollit.
“Ashtu siç janë në vijën e parë mjekët edhe infermierët, po ashtu edhe punonjësit e policisë në sistemin në të cilin shërbejnë, janë të rrezikuar sepse janë në kontaktin e përditshme më të sëmurë me koronavirus”, tha ai.
Valentin Macaj ankohet edhe për kushtet e këtij institucioni të vuajtjes së dënimit.
“Është një kamp përqendrimi dhe jo një ambient për të mbajtur të dënuar të sëmurë me mjekim të detyrueshëm. Ka pasur një urdhër që nga 2005 për tu mbyllur dhe për tu transferuar në burgjet e tjera. Është dhënë një urdhër nga Ministria e Drejtësisë, para katër muajsh për tu transferuar në burgun e Lezhës sepse aty ishte dhënë edhe fondi për tu rikonstrukturuar dy godina të cilat akoma nuk kanë mbaruar”, tha ai.
Nisur nga kjo situatë, Macaj kërkon nga qeveria fonde për riparimin e ambienteve./abcnews.al/