Ditën e sotme bëhen 22 vite nga vrasja e liderit të Lëvizjes Studentore, Azem Hajdarit.
Ka qenë vajza e tij, deputetja Rudina Hajdari që e ka kujtuar të atin përmes një postimi në “Facebook”. Ajo shprehet se pavarësisht se Hajdari nuk është fizikisht, është pranë saj gjithmonë në jetën e përditshme si dhe në rrugën që ka ndjekur në politikë.
Deputetja thotë se e ka marrë malli shumë dhe i premton se do të eci në hapat e tij për drejtësi dhe liri.
“Babi, 22 vite pa ty pranë fizikisht jane shumë. Por ti je me mua përditë.
Je me mua kur zgjohem dhe shpesh e ndiej sikur me thua si dikur pasuria e gjithë botës është në duart e tua kur je njeri i lirë dhe i ndershëm.
Je me mua kur luftoj, e ndiej fuqinë tënde që më motivon dhe më shtyn të fitoj.
Je me mua kur takoj mijëra shqiptarë të cilët ende sot mbas 22 vitesh të kujtojnë sikur të kishin takuar dje.
Je me mua kur më jep forcën të ndjek rrugën tënde. Rrugën e drejtësisë, rrugën e lirisë, rrugën e njerëzve të lirë.
Më ka marrë malli, por të ndiej përditë, sepse mundohem të eci në hapat e tua.
Në hapat e një njeriu që kurrë nuk e tregtoi lirinë.
Do eci, ta premtoj!”, shkruan Hajdari.
https://www.facebook.com/436352380042586/posts/1410089789335502/
Kujtojmë që Azem Hajdari u vra para selisë së PD nga disa drejtues të policisë në Tropojë. Shkrimtari i mirënjohur shqiptar Ismail Kadare e konsideroi vrasjen e Azem Hajdarit si “Vrasja e Shekullit”, ndërsa vdekja e tij u cilësua si një humbje e madhe për demokracinë në Shqipëri. l.k/abcnews.al