Në mesin e mijëra dokumenteve ekskluzive të Gjykatës Speciale që dolën në publik ishte edhe një letër, ku prokurori udhëheqës David Shëendiman kishte kërkuar dokumente në Serbi për Adem Jasharin nga Vladimir Vukcevic, ish-prokuror për krime lufte.
RTK raporton se në letrën e tij, prokurori Shëendiman thotë se duke u nisur nga koordinimi i vazhdueshëm dhe nga takimi i mbajtur më 1 qershor 2015, Prokurorisë së Serbisë për Krime Lufte i kërkon furnizim me kopje të rasteve që kanë të bëjnë me terrorizëm nga grupet e organizuara të armatosura të kryera nga shqiptarët e Kosovës në periudhën 1981-1999, duke përmendur edhe emrin e Adem Jasharit, i cili bashkë me familjen e tij 60 anëtarëshe ishte vrarë çnjerëzisht në shtëpinë e tyre, pikërisht nga forcat serbe 17 vite para se ai të kërkonte material inkriminues për të.
“Për më shumë, me mirësi ju kërkojmë nëse është e mundur që dokumentet e para duhet të jenë në lidhje me rastin KT nr. 139/96, gjykimi K nr. 37/97 gjykuar nga Gjykata e Distriktit të Prishtinës ndaj personave në vijim: Besim Rama, Idriz Asllani, Adem Jashari, Jakup Nura, Fadil Kadriu, Nuredin Lushtaku, Sahit Jashari, Hashim Thaçi, Sami Lushtaku, Rexhep Selimi etj”, thuhet në këtë dokument të hetuesve të Gjykatës Speciale.