Dritan Kadia, Sekretari i Përgjithshëm i Ligës Profesioniste të Futbollit, është i ftuar në emisionin “Pressing” në ABC News. Sigurisht tema kryesore është vendimi i Ligës për të shtyrë kampionatin e Kategorisë Superiore. Kjo për shkak se qeveria nuk i ka marrë aspak parasysh kërkesat e klubeve.
“Do thosha që ata që i dinë vështirësitë dhe i ndjejnë janë presidentët. Ata kanë vështirësi të mëdha. Ligji i sponsorizimit nuk tërheq asnjë kompani. Kjo është kërkesa e parë. E dyta lidhet me nivelin e TVSH.
Futbolli ka shumë shpenzime dhe tatohet me 20 për qind. Duke pasur parasysh nivelin e ulët të të ardhurave, kërkohet që të shkojë 6 për qind, si aktivitete të tjera si bujqësia dhe turizmi që mbështeten nga qeveria.
Pse të mos mbështete edhe futbolli. Kemi ardhur në një nivel që krenohemi që katër ekipe luajnë në kupat e Europës. Nëse ecin përpara, edhe të ardhurat në buxhetin e shtetit rriten. Le të ulemi në tavolinë dhe zgjidhet.
Kërkesa e tretë është falja e tatimit mbi të ardhurat për futbollistët. Është vendosur për dy vite dhe konsiderohet e papërshtatshme. Pas dy vitesh kthehemi sërish në të njëjtën situatë. Kërkohet 10 vite. Gjithsesi duhet të diskutojmë”.
“Kërkesa e katërt është që të falen gjobat dhe kamatëvonesave që kanë ardhur prej detyrimeve. Shkon në rreth 1-2 milion euro. Praktikisht është gjetur konsensusi që klubet me këto katër pika të shkojnë në kushte të barabarta. Ka klube që nuk kanë asnjë gjobë.
Jo të gjitha klubet janë joformale. Të gjitha klubet bëjnë bilance, paguajnë detyrime që shkojnë në arkat e shtetit. Ai mund të thotë në të zezë. Ndoshta është i painformuar, sikurse tha edhe për letrën. Ligji i sponsorizimit i prek të gjithë për shembull”. / abcnews.al