Sekretariati i Përgjithshëm Grek për Mbrojtjen Civile të martën mbajti një konferencë për media dhe publikoi të dhëna që tregojnë se shumica e rasteve të importuara të koronavirusit në Greqi janë nga pesë vende.
Mediat greke raportojnë se ekspertët e shëndetit kanë vërejtur se, shumica e rasteve pozitive të Greqisë nuk janë nga udhëtimet përbrenda, por kanë rezultuar nga njerëz që nuk u përmbahen rregullave të shëndetit dhe sigurisë.
Sipas të dhënave, gjatë periudhës 1 korrik – 6 shtator , numri më i madh i infeksioneve pozitive të koronavirusit u gjet në udhëtarët që hynin në Greqi nga Shqipëria (132), Bullgaria (102), Rumania (89), Serbia (80) dhe Franca (54).
Gjatë kësaj periudhe, 972 raste Covid-19 u konfirmuan nga 451,908 teste të kryera nga një total prej 3,553,035 udhëtarësh të ardhur në Greqi.
Më konkretisht, të dhënat treguan se në periudhën 1 korrik – 6 shtator:
– 2,957,103 mbërritën në Greqi nga ajri, u kryen 334,549 teste dhe 641 ishin pozitive.
– 163,900 njerëz udhëtuan me një traget, u kryen 21,116 teste dhe 28 ishin pozitive.
– 432,032 mbërritën me rrugë, u zhvilluan 96,243 teste dhe 303 ishin pozitive.
Gjatë konferencës, Zëvendës Ministri Grek i Mbrojtjes Civile Nikos Hardalias nënvizoi se të gjitha testet janë një indikator i rëndësishëm për mënyrën se si duhet të menaxhohet epidemia.
“Testet na lejojnë të hapemi ose të mbyllemi (me një vend)… Kur një zonë nga e cila ne presim turizëm, epidemiologjikisht duket se ka probleme, ne nuk hezitojmë të ndërmarrim veprime që janë të sigurta për shëndetin tonë,” tha ai.
“Ne po vazhdojmë hap pas hapi me veprime të matura, përpjekje të përditshme dhe monitorim të përditshëm të të dhënave të brendshme”, tha Hardalias, duke shtuar se ekspertët po monitorojnë vazhdimisht të gjitha vendet për të cilat Greqia është e interesuar, ose si origjinë turizmi, ose si zona përmes të cilave qytetarët hyjnë në vend, veçanërisht nga kufijtë e tij tokësorë.
“Kontrollet që ne bëjmë, përfshirë ato në kufijtë tanë tokësorë, porte dhe aeroporte, janë shumë specifike dhe bëhen me një strategji të caktuar,” tha zv / ministri, duke shpjeguar se numri i testeve të kryera në pikat kufitare varet nga gjendja epidemiologjike e vendeve.
“Aty ku duket se ka një shpërthim epidemiologjik, ne i rrisim testet,” tha ai.
Hardalias vuri në dukje se kur një vend po shkon më mirë nga një pikë epidemiologjike, numri i testeve për udhëtarët nga ai vend, zvogëlohet.
“Përpjekja jonë bazohet në modele dhe algoritme specifike dhe është pjesë e një strategjie të përgjithshme që ka të bëjë me hapjen e turizmit,” tha Hardalias.
Autoritetet shëndetësore greke njoftuan të martën 169 raste të reja me koronavirus (16 raste nga udhëtarët jashtë vendit), duke rritur numrin e përgjithshëm në 11,832.
Numri i të vdekurve në vend ka arritur në 290.
N.D./abcnews.al