Nga Ajgena Korbi
Sinjalistika në oborr na tregon se si nxënësit e gjimnazit “Ismail Qemali” në Tiranë duhet të hyjnë e të dalin nga klasa që prej 14 shtatorit.
Javën e ardhshme kjo shkollë do të presë 1678 gjimazistë e 90 mësues, në një situatë të ndryshme nga vitet e shkuara.
Drejtoresha Rezarta Alla na tregon se nxënësit do të ndahen në tre turne dhe asnjë prej tyre nuk do të qëndrojë më shumë se tre orë në shkollë.
Një orë mësimi do të jetë 30 minuta. Në klasa nuk do të ketë më shumë se 20 nxënës dhe secili prej tyre do të jetë pajisur më një numër të veçantë për tu ulur në bankë.
“Grafiku ka nisur që me paraqitjen e nxënësve në shkollë për turnin e parë. Në turnin e parë do të jenë klasat e dymbëdhjeta, do vijojë me të njëmbëdhjetat. Nxënësit do të bëjnë 6 orë. Kemi zgjedhur skenarin e parë. orët do të jenë 30 minutëshe. Kemi vendosur në klasa 15-17 nxënës”, thotë ajo.
Mësimi do të nisë në 8 të mëngjesi dhe do të përfundojë në 18 të pasdites dhe të gjitha orët do të zhvillohen nga mësuesit aktual të shkollës.
“30 minutëshi dhe 45 minutëshi në diferencë do të llogariten në 33 orë mësimore. Mësuesi që ka 20 orë mësimore do të ketë 7 orë mbingarkesë. Është një sipërmarrje madhe në këtë situatë”, shprehet drejtoresha.
Viti I ri shkollor do të nisë ndryshe në shkolla të ndryshme. Secili prej drejtuesve ka hartuar grafikun e funksionimit bazuar në numrin e nxënësve dhe mjediset në dispozicion. Ajo që I bashkon janë masat e shtuara higjeno-sanitare dhe maskat të cilët për fëmijët mbi 12 vjeç janë të detyrueshme ndërsa për më të vegjlit të rekomandueshme. /abcnews.al