Abcnews.al ka siguruar dosjen e plotë të dënimit të Faik dhe Shkëlzen Bucit për tentativën e vrasjes së aktorit Mishel Prela në korrik të 2017. E ndërsa djali u dënua për tentativën e vrasjes, i ati me 8 muaj me akuzën e pengimit të zbulimit të së vërtetës. Sipas organit të akuzës, Faik Buci, kishte çmontuar pistoletën e përdorur në atentatin ndaj aktorit Mishel Prela.
“Shkova të marr një kaçavidë për të rregulluar freskuesen dhe në çantën e veglave gjeta pistoletën, e mora dhe e çmontova mbi tavolinë”. Në momentin që shkoi policia për kontroll dhe e pyeti nëse ka sende të kundraligjshme në banesë, ai pranoi se kishte pistoletën. Më pas i biri, Shkëlzen Buci pranoi që pistoleta ishte e tij.
Gjithashtu, djali i Faikut, pra personi që tentoi të vriste aktorin kishte fshehur edhe një telefon brenda një rezistence në shtëpi. Në dosje theksohet se kur Faik Buci është pyetur se ku ka qenë djali i tij në datë 27 korrik kur ndodhi atentati ndaj aktorit Prela është shprehur se “djali erdhi në shtëpi pas orës 21:00 dhe nuk doli nga banesa. Ishte pak i shqetësuar, e pyeta se cfarë kishte, por më tha se nuk kam asnjë shqetësim”.
Sa i përket vendimit për dënimin me një vit burg të Faik Bucit, që më pas u ul duke përfituar nga gjykimi i shkurtuar, në dosje theksohet se “gjykata merr në konsideratë rrezikshmërinë relativisht të ulët shoqërore” pa ditur se në fakt në të vërtetë rrezikshmëria e tij ishte e lartë, pasi në 2012 Faik Buci së bashku me djalin e tij kryen krimin makabër.
Shkëlzen Buci ekzekutoi motrën pasi i ati thuri planin. Krimi u zbulua nga bashkëpunëtori i drejtësisë, që u dënua me 2.8 vite për atentatin ndaj aktorit Prela, por më pas tregoi edhe vrasjen e Eglantina Bucit. (Lexo këtu dëshminë e plotë)/ d.b/abcnews.al
Pjesë nga dosja e gjykatës për dënimin e Faik dhe Shkëlzen Bucit