Nga godina e rindërtuar e Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, kryeministri Edi Rama u shpreh se ky institucion futet në një epokë të re. Kreu i qeverisë kishte një përgjigje edhe për opozitën jashtë parlamentit, që akuzon se po shpenzohen paratë për luks dhe fasada.
“Besoj se do të akreditojmë laboratorët e rinj të agjencisë në BE. Sot ne kemi jo thjesht një godinë të re fizike, që është pjesë e së tërës. Sa herë ndërhyjmë në një godinë, akuza që vjen nga gjumi është fasadë, korrupsion, luks. E paimagjinueshme si mund të gjendet kurajo për të lënë shërbëtorët e shtetit në kushte mizerje, u konsideroka normale.
Nëse numri i analizave nga laboratori i trashëguar nga komunizmi ishte deri në 300, sot është të paktën dyfishi dhe jo vetëm në numër, por edhe cilësisht, është fjala për analiza me standardet europiane. Kjo agjenci hyn në një epokë të re. Kam dy fjalë për ata që me të drejtën duan më shumë dhe më shpejt dhe nga njëherë pyesin pse u deshën 7 vite.
Ne sot, prej disa vitesh kemi ulur 30% çmimin e barnave, sepse deri dje pa kontroll, në një rrumpallë që nuk merrej vesh se cfarë pije, cfarë të shëronte dhe të sëmurte paguanin 30% më shumë se vendet e origjinës, sot e kemi përputhur. Janë mbi 8 milionë euro në total. Është e lehtë të shkruash receta, por të kurosh është më e vështirë” tha ai./ db/abcnews.al