Nga Xhensila Kodra
Faik Buci, i akuzuar se bashku me të birin për vrasjen e vajzës Eglantina Buci është dënuar edhe për një tjetër vepër penale, ku autor kryesor është shpallur sërish djali i tij. Bëhet fjalë për atentatin e ndodhur tre vite më parë në Tiranë ku Shkëlzen Buci tentoi të vriste aktorin Mishel Prela në afërsi të gjimnazit “Partizani”. Sipas vendimit përfundimtar të Gjykatës së Shkallës së parë në Tiranë, të zbardhur nga ABC News, rezulton se Faik Buci është dënuar me 1 vit burg në 2018-ën për veprën penale “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, por bëri vetëm 8 muaj pasi iu ul 1/3.
Në atë kohë babai Faiku, sipas prokurorisë kishte çmontuar armën me të cilën i biri qëlloi Mishel Prelën, duke e lënë mbi tavolinë. Fillimisht ai kishte deklaruar përpara policisë se pistoletën TT e kishte gjetur në oborrin e shtëpisë por më pas në dëshminë e tij Faiku ndryshoi versinin duke thënë se armën e kishte marrë në çantën ku mbanin veglat e punës, pasi kishte shkuar të merrte një kaçavidë për të rregulluar freskuesen. Në përfundim të procesit me gjykim të shkurtuar babai 66 vjecar u dënua për këtë ngjarje me vetëm 8 muaj heqje lirie.
Për atentatin e korrikut të 2017-ës, prokuroria dhe gjykata gjetën si autor kryesor Shkëlzen Bucin, të birin e Faikut. Ai ishte paguar me 80 mijë euro për të kryer vrasjen e aktorit. Për këtë vrasje me paramendim të mbetur në tentativë 37 vjecari u dënua me 15 vite burg por duke i bashkuar edhe akuzën tjetër të armëmbajtjes pa leje ai dënimi i tij shkoi në 18 vite, që me gjykimin e shkurtuar iu ulën në 12.
Për të kryer atentatin ndaj aktorit Mishel Prela, Shkëlzen Buci, bashkëpunoi me një tjetër person, që do të mbante nën vëzhgim lëvizjet e objektivit. Ky person tashmë ka marrë statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë pasi ndihmoi Policinë dhe Prokurorinë për zbardhjen e vrasjes së Eglantina Bucit. Për të njëjtën vepër penale, atë të tentativës së vrasjes, që Shkëlzen Buci u dënua me 15 vite burg, bashkëpunëtori i tij u dënua me 4 vite, e thënë ndryshe, 11 vite më pak, kjo për shkak të statusit të bashkëpunëtorit të drejtësisë.
Përveç tentativës së vrasjes ai u shpall fajtor edhe për “prodhim, mbajtje, blerja apo shitja pa leje të armëve të ftohta. Për të dy këto vepra penale, bashkëpunëtori i drejtësisë u dënua me 4 vite burg dhe me gjykimin e shkurtuar dënimi i shkoi në 2 vite e tetë muaj. Këtë dënim, tashmë ai e ka përfunduar dhe për të mos iu rrezikuar jeta, bashkë me familjen është marrë në mbrojtje policore duke u larguar nga Tirana. /. s.b /abcnews.al/