Policia dhe prokuroria kanë mundur të dokumentojnë tashmë një krim të tmerrshëm të 8 viteve më parë, ku familja vrau dhe groposi vajzën 23 vjeçare pasi nuk miratonin bashkëjetesën me të dashurin e saj.
Gazetarja Glidona Daci raporton për abcnews.al duke iu referuar burimeve nga prokuroria se ekzektimin e Eglantina Bucit e ka kryer vëllai i saj, Shkëlzen Buci duke e groposuar më pas në Malin me Gropa.
Lexo edhe: FOTO/ E vranë dhe e groposën, këta janë babë e bir që i morën jetën 23-vjeçares
Në atë kohë, familja pretendoi se vajza kishte humbur, por gjetja e eshtrave dhe kryerja e hetimeve të mëtejshme zbuloi se ajo ishte vrarë nga familja.
Ngjarja
Ngjarja e rëndë ndodhi në vitin 2012, ku Eglantina Buci, atëherë vetëm 23 vjeç, shkoi të bashkëjetonte me të dashurin e saj në zonën e Freskut në Tiranë edhe pse familja e kundërshtonte një fakt të tillë.
Pasi mësuan ku ishte vajza, babai i saj Faik Buci dhe vëllai Shkëlzen Buci shkuan dhe e morën Eglantinën nga shtëpia ku jetonte në zonën e Freskut në Tiranë duke e vrarë më pas.
Si u zbulua
Disa vite më vonë, në zonën e Malit me Gropa u gjetën pjesë eshtrash duke bërë që policia fillimisht të dyshojë për vajzën e humbur duke marrë pjesë të ADN-së së nënës së saj për t’i krahasuar.
Pas analizave rezultoi se ADN-ja e eshtrave dhe e nënës së Eglantinës përputheshin duke vërtetuar se bëhej fjalë pikërisht për vajzën e zhdukur.
Mësohet se Faik Buci ishte i divorcuar nga nëna e viktimës dhe bashkëjetonte me një grua tjetër.
Të dhënat nga ADN-ja u bashkuan me informacione në rrugë operative duke bërë që të zbulohej tërësisht ngjarja e tmerrshme e 8 viteve më parë. /abcnews.al