Italia e nisi me një barazim 1-1 kundër Bosnjës rrugëtimin e saj në Ligën e Kombeve. Ishte Stefano Sensi ai që shmangu humbjen në “Artemio Franchi”, pasi miqtë kaluan të parët në avantazh.
Trajneri i të kaltërve, Roberto Mancini, e dinte se një ditë seria e fitoreve do të përfundonte si dhe pranoi gabimin me Chiellinin në formacion. “Sigurisht që nuk jemi të lumtur sepse nuk fituam, por ne nuk kishim atë mprehtësinë e duhur para portës.
Kishim disa raste, por dhe lodhja bëri të veten. Seria jonë e fitoreve do të mbaronte herët a vonë dhe jam i kënaqur që ndodhi me një barazim dhe jo me humbje. E rëndësishme është të ruajmë këtë ekip, i cili do të ketë disa ndryshime sepse lojtarët mund të luajnë çdo tre ditë.
“Gabimi me Chiellini? Ishte faji im. Ata më treguan formacionin zyrtar dhe unë nuk kisha vënë syzet dhe i thashë se ishte ‘OK’. Nuk e vura re se aty ishte Acerbi dhe jo Chiellini. Gjithsesi ne e kishim planifikuar që në një ndeshje të luante Giorgio dhe në një tjetër Acerbi.
Unë e pyeta Chiellinin dhe ai më tha se dëshironte të luante sot, por tashmë do të ndodhi e kundërta. Nuk është ndonjë diferencë e madhe, por ishte një gabim nga ana ime”, mbylli Mancini. /abcnews.al

