Pandemia e Covid-19 nxori në pah problemet e hershme që ka ekonomia jonë, të cilat duhet të ishin adresuar me kohë, por mbetet që vetërregullimi të ndodhë në mënyrë të menjëhershme, ndoshta dhe brutale, e me pasoja për shumëkënd…
E gjithë bota ka kryqëzuar gishtat dhe po pret me ankth se kur do të zbutet pandemia e koronavirusit, që i ka gjunjëzuar të gjithë. Shpresat janë të mëdha se, me gjetjen e një kure, apo me finalizimin e vaksinës, rikuperimi do të jetë i shpejtë. Reagimi i bursave të SHBA-së, apo përmirësimi i Indeksit të Besimit të Biznesit të Gjermanisë ditët e fundit ishin sinjale pozitive se, më në fund, mund të ketë pak dritë në fund të tunelit.
Rikuperimi ka filluar edhe për Shqipërinë dhe të dhënat tatimore të korrikut ishin një sinjal pozitiv. Të hyrat në buxhet nga Tatimet dhe Doganat në korrik ishin në nivelet më të larta të këtij viti, edhe krahasuar me janarin apo shkurtin, kur pandemia ende nuk ishte shfaqur. Në raport me vitin e shkuar, tkurrja e të ardhurave ishte e lehtë, me vetëm 3%, përkundrejt niveleve të 30% që arriti në prill e maj, kur ekonomia ishte e mbyllur.
Por, përtej këtij optimizmi, pandemia e Covid-19 nxori në pah problemet e hershme që ka ekonomia jonë, të cilat duhet të ishin adresuar me kohë, por mbetet që vetërregullimi të ndodhë në mënyrë të menjëhershme, ndoshta dhe brutale, e me pasoja për shumëkënd. Po rreshtojmë në vijim disa nga arsyet:
-Së pari, struktura e paqëndrueshme e ekonomisë sonë. Përveçse e përqendruar në shumë biznese të vogla, ajo është e orientuar nga konsumi. Sot, sipërmarrjet e vogla, që janë dhe një gjenerator i madh i punësimit (vetëpunësimit) po mbyllen me shpejtësi. Të dhënat nga Tatimet tregojnë se në korrik, mesatarisht kaluan në status pasiv rreth 28 subjekte të ditë, me ritme të përshpejtuara në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. zyrtarisht është pranuar se mbi 50 mijë persona kanë dalë nga skema e kontributeve të sigurimeve shoqërore deri në fund të qershorit.
Kjo dukuri (mbyllja e të vegjëlve si rrjedhojë e konkurrencës së të mëdhenjve) ishte e pritshme që do të ndodhte dhe po kryhej gradualisht (në 2019-n, falimentuan rreth 5 mijë subjekte të vogla, kryesisht në tregti), por me ritme kaq të shpejta, ajo rrezikon të krijojë kosto të mëdha sociale.
-Së dyti, varësia e lartë e eksporteve nga Italia. Rreth 50% të shitjeve të vendit tonë jashtë, shkojnë drejt shtetit fqinj përtej detit. Ky përqendrim është më i larti në rajon. Sipas një studimi të bërë jo shumë kohë më parë, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka paralajmëruar rrezikun se kjo e lë vendin shumë të ekspozuar ndaj ekonomisë italiane.
Edhe më e theksuar është pesha e industrisë së tekstileve e këpucëve, që është produkti kryesor i eksportuar në vend, ku rreth 70% e shitjeve shkojnë drejt Italisë. Edhe pse prej vitesh po flitet për nevojën e një diversifikimi, kompanitë ishin mësuar me rehatinë që u vinte nga Italia (puna me vetëm disa procese). Tashmë do të duhet të diversifikohen me shpejtësi, por kjo kërkon burime financiare.
-Së treti, situata e paqëndrueshme fiskale. Në të gjithë periudhën e tranzicionit, nuk u arrit të krijohej një model i qëndrueshëm ekonomik, që do të garantonte të ardhura në buxhet (ato mbeten në 27% të prodhimit të brendshëm, ndër më të ulëtat në Europë). Në kahun tjetër, shpenzimet kanë qenë të larta dhe të paorientuara drejt nxitjes së produktivitetit të ekonomisë.
Kjo ka bërë në rezultante që të vuajmë gjithnjë nga borxhi i lartë, siç na gjeti edhe kriza, duke lënë më pak hapësira për përdorimin e mbështetjes buxhetore në nxitje të ekonomisë. Deri tani, vendi ynë ka pasur suportin më të ulët direkt në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto nga vendet e tjera të rajonit, ndërsa fondet e garancisë nuk kanë gjetur shumë përdorim, për shkak të kushteve të pafavorshme.
-Së katërti, orientimi nga ndërtimi dhe jo drejt investimeve produktive. Nëse ka një sektor që nuk po e ndien krizën, është ai rezidencial. Ndërtesat u lartësuan të pashqetësuara gjatë pandemisë dhe ritmi i lartë vazhdon, i nxitur dhe nga prurjet informale. Ndonëse në afat të shkurtër, kjo mund të krijojë punësim dhe nxitje ekonomike, në afat të gjatë nuk sjell asgjë, përveçse rrezikon krijimin e një flluske, që do të kishte pasoja zinxhir.
Ekonomia, si gjithnjë, do ta gjejë vetë rrugën. Por, që ajo të mos jetë nëpër shtigje pa rrugëdalje, sikurse ka ndodhur shpesh, ky është momenti që qeveria të ndërtojë “infrastrukturën” e nevojshme, për ta orientuar atë në një rrugë të drejtë e të rritjes së qëndrueshme. /monitor