Komisioni i Pavarur i Kualifikimit këtë të mërkurë ka nisur sesionin e tretë të vettingut, me gjyqtaren e Apelit të Shkodrës Vojsava Osmanaj.
Trupa gjykuese që po kryen hetimin administrative për Osmanajn përbëhet nga Genta Tafa Bungo, Suela Zhegu dhe Lulzim Hamitaj.
Vojsava Osmanaj ka përfunduar studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2008 dhe është emëruar gjyqtare në Gjykatën e Korçës. Në vitet 2013-2016, Osmanaj ka punuar si inspektore pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe më pas është emëruar gjyqtare në Gjykatën e Apelit të Shkodrës.
Në deklaratën e parë të dorëzuar në vitin 2003, gjyqtarja Osmanaj nuk ka deklaruar asnjë pasuri, ndërsa në fund të vitit 2017, pasuria e saj familjare kap vlerën e 6.4 milionë lekëve. Ajo zotëron familjarisht pasuri të patundshme prej 3 milionë lekësh, likujditete bankare prej 1.7 milionë lekësh, automjete me vlerë 1.2 milionë lekë dhe kursime në cash prej 400 mijë lekësh.
Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 14 milionë lekë, nga të cilat 75% burojnë nga paga për shkak të funksionit dhe 10% nga shitja e pasurisë së patundshme. Gjyqtarja Osmanaj deklaron gati 9% të të ardhurave nga angazhimi i saj në mësimdhënie./abcnews.al