Trump pret 3 “spiunët” amerikanë që u mbajtën në burg nga Koreja e Veriut

schedule11:01 - 10 Maj, 2018

schedule 11:01 - 10 Maj, 2018

Tre shtetasit amerikan që u dënuan për spiunazh në Korenë e Veriut janë rikthyer në SHBA bashkë me sekretarin e shtetit Mike Pompeo i cili u takua me liderin Kim Jong-un. Për t’i pritur ata doli vetë presidenti Donald Trump në orët e para të së enjtes.

Tre amerikanët e mbajtur në burgjet e Koresë së Veriut janë kthyer në atdhe sëbashku me sekretarin e shtetit Mike Pompeo. Avioni i tyre zbriti në Bazën Ushtarake “Andreës”, në hyrje të kryeqytetit amerikan: vetë presidenti Donald Trump doli për t’i pritur. Në orët e para të së enjtes në Uashington, Kreu i Shtëpisë së Bardhë dhe Zonja e Parë Melani u futën në bordin e avionit me të cilin sapo kishin mbërritur 3 shtetasit amerikan bashkë me sekretarin e Shtetit Mike Pompeo.  Ky ishte një imazh që do të thotë shumë dhe vjen para takimit mes Donald Trump dhe liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong-un.

“Ky është një moment shumë special. Për mua, kjo përfaqëson diçka emocionuese, diçka shumë të rëndësishme për vendin”, u shpreh presidenti amerikan. Trump ka siguruar se data dhe vendi i takimit historik do të publikohen në ditët në vijim, duke saktësuar se nuk do të ndodhë në zonën e demilitarizuar mes dy Koreve. Ajo e Singaporit shikohet tashmë si një hipotezë shumë e realizueshme.

Tre amerikanët e liruar nga regjimi totalitar janë: Kim Dong-Chul, Tony Kim dhe Kim Kak-Song. Ata mbaheshin në burgje të Koresë së Veriut dhe ishin dënuar për spiunazh dhe akte armiqësore kundër regjimit komunist. Sipas disa burimeve të administratës Trump, të cituar nga mediat amerikane, lirimi i të burgosurve ishte pjesë e një prej kushteve të vendosura nga SHBA për takimin mes Trump dhe liderit Kim Jong-un. Pikërisht për të përmbyllur detajet e fundit të këtij samiti të rëndësishëm, Pompeo zhvilloi vizitën e tij të dytë në Korenë e Veriut. /abcnews.al