Goditet “celula” në Maqedoni, “simotër” e ISIS, anëtarët kapen me rripa shpërthyes dhe armatim

schedule15:54 - 1 Shtator, 2020

schedule 15:54 - 1 Shtator, 2020

Në Maqedoninë e Veriut policia në bashkëpunim me Agjencinë e Sigurisë Kombëtare dhe Prokurorinë Publike kanë goditur një grup terrorist duke arrestuar tre persona. Të arrestuarit janë persona të kthyer nga luftërat jashtë Maqedonisë së Veriut dhe më parë kanë vuajtur dënime me burgim për veprën penale “pjesëmarrje në ushtri të huaj, në formacione paraushtarake dhe para-policore”.

“Departamenti për luftimin e terrorizmit, ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit, pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, ka ngritur padi penale në Prokurorinë Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit kundër personit me inicialet B.A. (28) nga Kumanova, me banim në Shkup, ndërsa kundër personave me inicialet V. А. (22) dhe E.L. (25), të dy nga Kumanova, për veprën penale ‘organizatë terroriste’ dhe ‘terrorizëm’”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Autoritetet maqedonase theksojnë  se grupi me emrin “Celula” ka ideologji të ngjashme me organizatën terroriste Shteti Islamik (ISIS) dhe se kishin qëllim kryerjen e akteve terroriste.

Mediat në Shkup duke cituar autoritetet, raportojnë se gjatë aksionit u arrestuan tre anëtarë të grupit, ndërsa u konfiskua edhe një arsenal armësh dhe municionesh, 5 pushkë automatike, një mitraloz, fishekë për pushkë automatike, tri granata për minahedhës, doreza maskimi, jelekë anti-plumb dhe një flamur me shkronja arabe (ISIS) dhe një shall me shkronja arabe.

Gjatë arrestimit të të dyshuarve, iu gjetën edhe dy rripa shpërthyes, dy pajisje me tela me trashësi të ndryshme, dy radio-stacione, një siguresë për pajisje shpërthyese, një kompjuter laptop, nëntë telefona celularë, pesë karta SIM, rroba kamuflazhi, dy thika etj./ abcnews.al