Zgjedhjet e 30 Gushtit në Mal të Zi, ka nxitur gjithë faktorin politik shqiptar në Mal të Zi, në diasporë por edhe trojet tjera shqiptare, të merrnin vendim për një listë unike, përfaqësuese për shqiptarët.
Lista e përbashkët zgjedhore e shqiptarëve, ka marrë përkrahjen e gjerë nga diaspora dhe më gjerë.
Ndërkohë kryeministri Edi Rama përpara pak ditësh me anë të një video mesazhi me të cilin u drejtohej shqiptarëve në Malin e zi bënte thirrje për mbështetjen e listës shqiptare në zgjedhje dhe mbështetje të Milo Gjukanoviç.
Edhe Zoran Zaev, ka mbajtur të njëjtin qëndrim, ai është shprehur për mbështetje të Gjukanoviç në zgjedhjet parlamentare.
Për të folur në lidhje me këtë çështje e ftuar në studion e ABC News me gazetarin Endri Xhafo ishte gazetarja Linda Karadaku.
Sipas Karadakut, Këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme, sidomos për situatën politike që ka Mali i Zi për t’iu bashkuar Perëndimit, për arsye se opozita në këtë shtet ka shprehur tendenca pro serbe dhe në rastin e fundit po manipulohet nga tendencat e kishës që kërkon ta kthejë në një referendum popullor çështjen e pronësisë së kishës.
Këto janë zgjedhje historike që konsolidojnë të ardhmen e Malit të Zi.
Edhe faktori shqiptar, edhe pse i paktë në numër, ka një rëndësi shumë të madhe në këto zgjedhje.
“Vota e shqiptarëve është shumë e rëndësishme. Kemi një goxha numër të madh parti shqiptare në këto zgjedhje, për të pasur parasysh se sa e rëndësishme është kjo duhet të kujtojmë vitin 2016 zgjedhjet e fundit ku fati i qeverisë së Gjukanoviçit është vendosur në Ulqin. Genc Nimambeku ishte i vetmi deputet shqiptar që doli dhe ndaj u bë koalicioni me të për të formuar qeverinë, ai më tej u bë nën kryetar parlamenti. Shqiptarët do të jenë shumë të rëndësishëm në përcaktimin e fatit të qeverisë dhe Gjukanoviç në këto zgjedhje”, tha ndër të tjera Karadaku.
Duket se lista e përbashkët shqiptare, do të prodhoj më shumë deputetë edhe në Parlamentin e Malit të Zi ashtu sikurse ndodhi në Maqedoninë e Veriut, ku faktori shqiptar ishte thelbësor për formimin e qeverisë./abcnews.al