Presidenti i Republikës së Kroacisë, Zoran Milanoviç, ka kërkuar falje dhe ka sqaruar gjithçka në lidhje me udhëtimin e tij drejt Shqipërisë, ku për dy ditë u akomodua në vilën qeveritare në Dhërmi, i ftuar nga kryeministri Edi Rama.
Mediat kroate, dy ditë pasi kërkuan që Milanoviç të jepte shpjegime mw shumë atw që kishte shpenzuar për këtë udhëtim, dhe të sqaronte nëse ishte diçka zyrtare apo private, shkruajnë se Presidenti ka kërkuar ndjesë.
“Ambasada e di se unë isha atje. Unë shkova në një vizitë zyrtare, të cilën gabimisht e shpallëm private. Shqipëria nuk është vendi i vetëm që jam ftuar këtë verë dhe nuk është hera e fundit në atë anije, është një punë shtetërore dhe detyra ime. Unë kërkoj falje për gabimin.
Unë nuk dua të sfidoj Komisionin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit. Unë nuk kam fshehur asgjë dhe kam deklaruar gabimisht se ishte vizite private. Shpenzimet e udhëtimit u mbuluan nga buxheti i shtetit kroat ndërsa akomodimi u bë në rezidencën shtetërore të Republikës së Shqipërisë.
Kontakti shoqëror me burra shteti të huaj është një formë e punës time. Çfarë lloj fotografish doni që të publikoja? Mbase doni nga ato të gruas time me rroba banje. Jo, nuk është e mundur, prandaj vendosa që të mos lejoja mediat kroate të vinin atj. Ka një buxhet për këtë dhe kjo është e gjitha.
Për 20 vjet gjërat kanë funksionuar në të njëjtën mënyrë”, mësohet të ketë thënë Milanoviç.
Vetëm një ditë më parë, Komisioni për Parandalimin e Konfliktit të Interesit u shpreh se do të kërkonte sqarime dhe dokumentacione shtesë nga Zyra e Presidentit në lidhje me qëndrimin e Milanoviç në Shqipëri në mes të gushtit.
Udhëtimi i Zoran Milanoviç, u bë publik nga mediat shqiptare, referuar fotove, ku Milanoviç shihej krah kryeministrit Edi Rama.
Mediat vendase ngritën shqetësimin dhe Komisioni për Vendosjen e Konflikteve të Interesit në Kroaci kërkoi llogari./abcnews.al