Bushati apel shqiptarëve në Mal të Zi: Vota juaj, garanci për respektimin e të drejtave

schedule09:20 - 28 Gusht, 2020

schedule 09:20 - 28 Gusht, 2020

Ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati shprehet se zgjedhjet parlamentare që priten të mbahen të dielën në Mal të Zi janë vendimtare për të forcuar stabilitetin politik dhe strategjik të vendit.  Përmes një postimi në facebook, Bushati iu bën thirrje bashkëatdhetarëve të votojnë për të bërë të mundur forcimin e partive politike shqiptare në parlament, si një garanci për respektimin e të drejtave të tyre në Mal të Zi.

Reagimi i plotë:

Këtë të dielë Mali i Zi zhvillon zgjedhjet parlamentare. Zgjedhje këto përcaktuese për koordinatat e stabilitetit politik dhe orientimin strategjik të fqinjit tonë.

Shqiptarët në Malin e Zi kanë qenë vendimtar në shpalljen dhe garantimin e pavarësisë në vitin 2006 dhe anëtarësimin në NATO në vitin 2017.

Para një viti në Tuz, kësaj të diele në Ulqin, Guci, Plavë dhe në të gjithë Malin e Zi, duke votuar masivisht për kandidatët dhe partitë politike shqiptare të grupuara në dy koalicione, shqiptarët kanë mundësi të mbrojnë e promovojnë të drejtat e tyre në bashkëjetesë me malazezët dhe grupet e tjera etnike dhe njëkohësisht të fuqizojnë identitetin euro-atlantik të Malit të Zi.

Maksimizimi i votës dhe forcimi i përfaqësimit të partive shqiptare në parlament, shoqëruar me thellimin e partneritetit me forcat progresiste malazeze përbën garanci për sigurimin e stabilitetin politik në vend, rrugën euro-atlantike, dhe respektimin e të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi.

Një fqinj stabël, demokratik, në harmoni ndëretnike, anëtar i NATO-s dhe bashkëudhëtar në rrugën drejt anëtarësimit në BE, është në interesin e Shqipërisë dhe promovimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë në Europën Adriatike. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!