SPAK nis hetim për inceneratorët pas kallëzimit të nismës “Thurje”. Hetimet e filluara nga SPAK kanë të bëjnë me shkeljet e barazisë me tenderat.
Siç raporton gazetarja Glidona Daci për Abcnews.al, në krye të këtij hetimi është Prokurori Dritan Prenci.
Mësohet se është kërkuar nga prokuroria disponimi i disa shkresave në disa institucione, si QKB, por është kërkuar edhe një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Nisma “Thurje” në fund të qershorit, ka dorëzuar një kallëzim penal për zyrtarët publik dhe persona të tjerë të përfshirë në konçesionet e inceneratorëve.
LEXO edhe: Nisma “Thurje” kallëzon në SPAK aferën për inceneratorët
Sipas kallëzimit të kësaj nisme, ajo akuzon qeverinë se është kompromentuar në falsifikimin e dokumenteve të pronësisë ku do ndërtohet inceneratori i Fierit.
“Kallëzim penal për zyrtarët publik dhe personave të tjerë të përfshirë në koncesionet e inceneratorëve, të cilët mund të kenë konsumuar disa vepra penale të parashikuara në Kodin Penal të RSH.
Baza ligjore: Neni 280 dhe 283 i K. Penal, neni 186,248, 258 dhe 287 te K. Penal, Ligji nr. 9754, date 14.06.2007, “Për përgjegjësinë penale te personave juridike”, thuhej në padinë e siguruar nga ABC News.
Nisma “Thurje” pretendon se gjithë grupi i inceneratorëve në Shqipëri, nga i Tiranës, tek i Elbasanit dhe i Fierit ka lidhje me Klodian Zoton dhe Mirel Mërtirin të cilët lidhen me kompani të regjistruar jashtë vendit.
Ata akuzojnë zyrtarët e dyshuar si përfshirë në këtë aferë për katër vepra penale:
-Për prishje të garës dhe barazisë në tendera, keqadministrim të pasurisë publike
-Për falsifikim të objektit të truallit të ndërtimit, shpërdorim të buxhetit të shtetit
-Për evazion fiskal dhe pastrim të produkteve të veprës penale
-Për për përfshirje të krimit të organizuar ndërkombëtar. /abcnews.al