Tirana-Crvena Zvezda ka marrë menjëherë vëmendjen. “Kurir” nxitoi një ditë më parë të shkruante se kampionët e Serbisë i pret ferri pa tifozë në Tiranë, në ndeshjen e vlefshme për turin e dyte eliminator të Champions League. Në fakt do të jetë një ndeshje krejt normale, me serbët favoritë në letër dhe Tiranën maksimalisht të motivuar.
Miliona arsye kanë bardheblutë për të luajtur fort dhe për të tentuar mrekullinë: kualifikimin në raundin tjetër të Champions League. Ndeshja luhet në “Air Albania Stadium”, më 25 gusht prej orës 20:00. Sigurisht pa tifozë, por do jetë e pamundur t’i shmangësh ata rrugëve të kryeqytetit, apo pranë stadiumit. Policia do i bëjë përpjekjet e saj, si zakonisht.
Në Serbi, veç “ferrit pa tifozë” të ditës së djeshme, tani komentojnë edhe deklaratën e trajnerit Emanuel Egbo. “Kërcënimet e para nga Tirana ndaj kampiones së Serbisë, trajneri i skuadrës shqiptare: Kemi një avantazh ndaj Crvena Zvezda, Zoti do jetë në anën tonë”, është titulli i artikullit të “Kurir”, shoqëruar edhe me konferencën për shtyp të nigerianit të Tiranës.
Gjatë këtyre ditëve, lajmet për këtë ndeshje pritet të jenë të shumta në mediat serbe dhe normalisht do të jetë e pashmangshme mungesa e titujve bombastikë me provokime e nacionalizma. Tirana-Crvena Zvezda ka nisur jashtë fushe… /abcnews.al