Bylisi ka menduar ta nisë merkaton me një portier, të marrë nga Kategoria e Parë. Hektor Mali, pas eksperiencës te Devolli, do të provojë një aventurë të re me ballshiotët. “Gardiani” bëhet për herë të parë pjesë e një klubi në Superiore, ndërkohë që në të shkuarën ka luajtur edhe me Pogradecin.
Në ditët në vijim te Bylisi pritet të ketë edhe afrime të tjera, pasi trajneri Veljko Dovedan për momentin ka një grup të cunguar. Numri i lojtarëve që janë larguar ka qenë i madh dhe presidenti Besnik Kapllanaj ka punë për të bërë.
KASTRIOTI – Krutanët, të rikthyer në Superiore pas një viti, ditën e djeshme kanë konfirmuar vijimin e bashkëpunimit me një lojtar kryesor të formacionit. Mbrojtësi Edy Boyom ka nënshkruar edhe për një vit dhe do të jetë një alternativë me shumë vlera për trajnerin Ramazan Ndreu.
Më parë kanë nënshkruar kontratat e reja Emiliano Çela, Lukman Husein dhe Rei Nuriu, kurse të larguar zyrtarisht janë Taulant Sefgjinaj dhe Taulant Marku. Kastrioti ka bërë edhe dy afrim, brazilianin Agnaldo Moraes dhe të riun Silvio Vokrri. /abcnews.al

