Kapiteni i Interit, Samir Handanovic, ka folur në konferencë për shtyp para sfidës ndaj Shakhtar Donetsk, gjysmëfinalja e Europa League. Sevilla është në finale, aty ku dhe Interi synon të shkojë. Handanovic, pranoi se finalja e Europa League, është një kusht për zikaltërit.
“Për të arritur në finale, duhet të zhvillojmë ndeshje më të mirë nga ato që kemi bërë deri më tani. Niveli i sfidave është rritur pas çdo rivali që kemi eliminuar, ndaj do të nevojitet një paraqitje shumë e mirë. Shakhtari është pa dyshim rivali më i fortë që kemi hasur në rrugëtimin tonë në Europë.
Jemi në gjysmëfinale, ndaj nuk ka nevojë ta them unë se Shakhtar është një ekip më i mirë se Getafe apo Leverkusen. Do të duhet vëmendje gjatë gjithë harkut kohor të takimit.
Duke luajtur këto ndeshje dhe sidomos duke fituar, kemi gjetur më shumë ekuilibër në manovrat e lojës. Rrjedhimisht, edhe atmosfera bëhet më e mirë dhe të gjithë jemi të gatshëm për duelin e radhës”, u shpreh kapiteni zikaltër./abcnews.al