Presidenti Ilir Meta ka deklaruar ditën e sotme se qeveria duhet të ishte konsultuar me të për shkarkimin e trupës diplomatike në ambasadën shqiptare në Athinë dhe jo ta vendoste para faktit të kryer.
Meta tha se institucioni i presidentit do t’i dërgojë qeverisë një kalendar për fluksin e qytetarëve që ikin dhe vijnë nga jashtë vendit në periudhë festash dhe pushimesh për të shmangur situatën e krijuar përgjatë ditëve të fundit.
“Qeveria duhet të ishte konsultuar me presidentin për shkarkimin e trupit diplomatik në Greqi, por zgjodhi ta vinte para faktit të kryer.
Ata janë njerëzit tanë dhe e mbajnë vendin për 30 vite me punën e tyre dhe kur pashë që faji po vihej mbi ta reagova.
Nga dita e nesërme do i çoj një kalendar qeverisë për të parandaluar situata të tilla në kohë festash dhe kohën e pushimeve”, tha Meta.
Kreu i Shtetit deklaroi se Rama kishte përgjegjësi të dyfishtë në këtë situatë, sepse përveçse kryeministër, është njëkohësisht edhe ministër i Jashtëm.
“Çdo përpjekje për të fajësuar palën greke është pa kuptim sepse ne e dimë shumë mirë që shteti grek për qytetarët e saj e bën detyrën e vet.
Ne e dimë shumë mirë që përgjegjësia për këtë rast ishte e shtetit shqiptar, e qeverisë, kryeministrit edhe si ministër i Jashtëm sepse me detyrë është ai ministër i Jashtëm.
Ne e dimë shumë mirë se kur është frekuenca më e lartë e lëvizjes së qytetarëve shqiptarë.
Kjo gjë nuk u bë. Përpiqemi të fajësojmë edhe vetë viktimat e kësaj krize nga mos ushtrimi i detyrës nga ata që janë përgjegjës”, u shpreh presidenti./abcnews.al