Presidenti Ilir Meta ka bërë përgjegjëse qeverinë për situatën kaotike të krijuar në Kakavijë përgjatë ditëve të fundit.
Meta tha se qeveria duhet të kishte reaguar në kohë për të informuar qytetarët.
Kreu i shtetit u ndal edhe te pandemia e koronavirusit, duke theksuar se veçanërisht këtë vit kërkohej një menaxhim më i mirë i situatës në kufij për të mos krijuar radhë.
“Jam i tronditur nga situata e jashtëzakonshme që u krijua në Kakavijë. Ajo ka të bëjë vetëm me përgjegjësitë e pa ushtruar në kohën e duhur nga ana e qeverisë shqiptare. Qeveria drejtoj gishtin nga ana tjetër e kufirit ndërkohë që është përgjegjësia e saj. Çfarë informacioni i është dhënë njerëzve që udhëtojnë jashtë vendit.
A ka pasur ndonjë njoftim nga MEPJ për kuotën prej 700 personash në ditë. Radhë ka pasur edhe në situata normale në këtë kohë pasi dihet se Kakavija mban një ngarkesë shumë të madhe dhe muaji gusht mban një fluks shumë të madh. Këtë vit kërkohej planifikim që të evitohej ajo. Radhët janë të pajustifikuara nga ana e qeverisë sonë.
Qeveria e përgjegjshëm nuk reagon pas krijimit të kësaj situate. Askush nuk i njoftoi qytetarët për kushtet e Greqisë. Për më tepër qeveria fajësoi edhe vetë qytetarët për krijimin e radhës së gjatë. Falenderoj median në mënyrë të veçantë për rolin që luajti, falenderoj gazetarët që i kanë qëndruar pranë dhe në një rast shpëtuan edhe një fëmijë. Strukturat kryesore të vendit duhet të ndjekin me përparësi lëvizjen e shtetasve të saj.
Një tampon është i papërballueshëm nga një familje me disa pjesëtarë. Qeveria duhet të subvencionojë tamponet dhe të krijojë kushtet”, tha Meta./abcnews.al