Vendet anëtare të BE-së po zhvillojnë bisedime në mënyrë që të dalin me një qëndrim të koordinuar ndaj masave të Shteteve të Bashkuara, për rritjen e taksave për çelikun dhe aluminin e importuar. Brukseli ka bërë thirrje për shmangien e një lufte tregtare mes dy kontinenteve.
Vendet anëtare të Bashkimit Europian po zhvillojnë bisedime për të dalë me një qëndrim të përbashkët ndaj planit të Uashingtonit, për rritjen e taksave për çelikun dhe aluminin e importuar. Kështu ka deklaruar kancelarja gjermane Angela Merkel në një konferencë shtypi me kryeministrin sllovak, Peter Pellegrini.
“Deri më tani kemi patur një qëndrim të koordinuar dhe e kemi bërë të qartë se për ne është e pajustifikueshme masa e Uashingtonit. Pasi pamë reagimin e tij na duhet të ulemi sërish në tryezë për të gjetur një përgjigje të unifikuar”, ka deklaruar Merkel.
Kancelarja ka saktësuar se aktualisht bisedimet po zhvillohen në nivel ministrash dhe kryeministrash, por nuk ka dhënë detaje mbi to.
Ndërkohë, lidhur me këtë çështje ka reaguar edhe kryetari i Parlamentit Europian, Antonio Tajani, i cili ka deklaruar se zgjatja me 30 ditë e afatit të përjashtimit nga taksat e rritura është e pamjaftueshme.
“Kërkoj që të ketë një përjashtim tërësor, sepse Europa nuk është rivale e Shteteve të Bashkuara. Ne si Perëndim, sa i takon prodhimit të çelikut kemi një përballje me Kinën, ku ka një mbiprodhim të çelikut. Si tregu europian edhe ai amerikan nuk duhet të pushtohen nga mbiprodhimi kinez”, ka thënë Tajani. /abcnews.al