Manchester United i bëri një mbyllje spektakolare kampionatit anglez, u rendit në vend të tretë dhe siguroi pjesëmarrjen në Champions League për sezonin e ardhshëm. “Djajtë e Kuq” do tentojnë të njëjtën gjë në Europa League.
Nesër (21:00) përballen me Sevilla në gjysmëfinalen e një kompeticioni që duan ta fitojnë. Trajneri Ole Gunnar Solskjaer ka folur në konferencën për shtypin para përballjes që do të luhet në “RheinEnergieStadion”, stadiumin e Këlnit në Gjermani.
“Jemi gati për duelin ndaj Sevilla, fizikisht dhe në aspektin mental. Kam një porosi për djemtë: duhet ta shijojnë këtë sfidë gjysmëfinale. Duam të hedhim një hap përpara dhe do të zbresim në fushë për t’u kualifikuar.
Nuk duhet ta humbasim përqendrimin për asnjë moment, duhet të jemi 100% të fokusuar në atë që do të bëjmë. Ata janë të fortë dhe këtë sfidë mund ta fitojmë ose humbasim në çdo moment. Nuk duhet të harrojmë që është tepër e dhimbshme të mposhtesh në gjysmëfinale“, deklaron norvegjezi. /abcnews.al