Boksieri i talentuar shqiptar, Jurgen Uldedaj, vesh sërish dorezat e boksit pas më shumë se një viti pauzë. Dy dëmtime të njëpasnjëshme dhe shpërthimi i pandemisë së Covid-19, u bënë shkak që i riu shqiptar të qëndrojë për më shumë se 400 ditë larg ringut.
Promotori i njohur gjerman, Ulf Steinforth, ka bërë të ditur se Uldedaj do të jetë pjesë e një eventi më datë 22 gusht në Magdeburg.
Boksieri lezhjan, i peshës “Cruiserweight 90.2 kg”, ka një rekord prej 11 fitoresh (2 me nokaut), 0 humbje, 0 barazime. Dueli i fundit i 22-vjeçarit daton në maj të vitit të kaluar, kur mundi me vendim unanim polakun Krzysztof Twardowsky.
Uldedaj, së bashku me Florian Markun, Reshat Matin dhe Albon Pervizajn përfaqësojnë një gjeneratë të re boksierësh me potencial, të cilët mund t’i rikthejnë publikut shqiptar emocionet e dikurshme që na kanë përcjellë emra të mëdhenj si Luan Krasniqi e Kreshnik Qato. /abcnews.al