Prokurori i posaçëm i çështjes “Russiagate” ka hartuar një listë me 50 pyetje për t’iu bërë presidentit Donald Trump. Sipas mediave amerikane, pyetjet në fjalë ka gjasa ta vënë në pozitë të vështirë kreun e shtetit, që më parë ka shprehur disa herë vullnetin për t’u marrë në pyetje nga Robert Mueller.
Prokurori i posaçëm Robert Mueller e nisi hetimin e tij mbi ndërhyrjen e dyshuar ruse në zgjedhjet presidenciale amerikane një vit më parë. Të hënën, rreth 50 pyetje të përgatitura prej tij për t’iu bërë presidentit Trump u publikuan nga “Neë York Times”. Lista e pyetjeve, sipas mediave amerikane, tregon se hetimet e Mueller jo vetëm janë zgjeruar, por se kreu i shtetit ka shumë gjëra për të cilat duhet të japë shpjegime. Pyetjet iu dorëzuan vokatëve të presidentit dhe përmbajnë një seri pikash të detajuara, për të cilat ekipi hetimor dëshiron ta pyesë presidentin. Por publikimi i tyre vjen në një moment kur Shtëpia e Bardhë është e ndarë për opsionin nëse Trump duhet të ulet ose jo përballë Mueller për një marrje në pyetje. Vetë Trump disa herë ka shprehur gatishmërinë për t’u paraqitur vullnetarisht në komision, por tani avokatët e tij janë skeptikë. Sipas CNN, shefi i Shtëpisë së Bardhë ka filluar të largohet nga kjo ide që kur agjentët e FBI-së bastisën shtëpinë dhe zyrën e avokatit të tij Michael Cohen dhe me publikimin e 50 pyetjeve gjasat janë që ai të ndërrojë mendje shumë shpejt. Përmes rrjetit social, Trump reagoi duke e cilësuar “të turpshme” publikimin e pyetjeve në lidhje me atë që e quajti “gjuetia e shtrigave ruse”. “Nuk ka asnjë pyetje për bashkëpunim me rusët, një bashkëpunim që nuk ekziston. Ka vetëm një hetim të nisur me informacione të klasifikuara, të siguruara në mënyrë ilegale”, tha Trump. /abcnews.al