Edhe pse pandemia Covdi-19 e ka intensifikuar goditjen duke shkaktuar disa vdekje në ditë se fundmi, shifrat zyrtare mbi vdekjet e 6 mujorit të parë tregojnë për një ulje të tyre në raport me të njëjtën periudhe të një viti më parë.
Në 6 muajt e parë të vitit kanë humbur jetën në vend 11,104 persona, bëri të ditur INSTAT në treguesit demografikë të tremujorit të dytë. Mesatarisht në vend kanë vdekur 61 persona në ditë.
Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, numri i vdekjeve ka rënë me 3.5%. Në total janë 406 vdekje më pak.
Ky është numri më i ulët i vdekjeve, që nga 6 mujori i parë 2016 (shih grafikun). Numri më i lartë i jetëve të humbura vitet e fundit është shënuar në 2017-n, ku vendi u përfshi nga një epidemi e fortë gripi në muajt e parë të atij viti, që detyroi dhe shtyjen me disa ditë të fillimit të shkollës në janar.
INSTAT gjithsesi referon se të dhënat mund të ndryshojnë për shkak se raportimet e vdekjeve në Gjendjen Civile mund të mos tregojnë realitetin, si rrjedhojë e situatës së shkaktuar nga Covid-19.
Sipas rretheve, numri i vdekjeve është rritur vetëm në 3 prej tyre në 6 mujorin e parë, krahasuar me janar-qershor të një viti më parë, konkretisht në Lëzhë (+17), Gjrokastër (+9), Elbasan (+8).
Rënia më e lartë e numrit të vdekjeve konstatohet në Berat (-94), Dibër (-84), Korçë (-59), Durrës (-50), Shkodër (-43), Vlorë (-37). Në Tiranë ka pasur 2 vdekje më pak në krahasim me të njëjtën periudhë të 2019-s.
Covid-19 pritet të përmbysë tendencën, vdekjet mund të jenë më të larta sesa po raportohen
Ky raport i rënies së vdekjeve rrezikon të ndryshojë kryekëput gjatë 6 mujorit të dytë të viti, pasi një numër i konsiderueshëm vdekjesh po shënohen nga pandemia Covid -19.
Numri i vdekjeve nga pandemia Covid 19 nisi të rritet në gjysmën e dytë të qershorit, po korriku dhe sidomos gushti kanë shënuar kulmin. Nga shifrat zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë deri me datën 11 gusht kanë humbur jetën 205 persona, por në realitet shifrat janë edhe më të mëdha. Burimet të sigurta pranë spitalit Covid 2 tregojnë se, ka një numër më të lartë të vdekjesh nga COVID se sa ato që raportohen zyrtarisht. Shifrat zyrtare marrin në konsideratë vetëm personat e vdekur që janë diagnostikuar me tampon dhe kanë rezultuar pozitiv, porse tani qindra qytetarë te prekur po marrin diagnoze me skaner pasi nuk mund të presin procedurat e zgjatura të tamponimit. Për rrjedhojë në spitalet Covid 1 dhe Covid 2 ka shumë të shtruar me pneumoni bilaterale të shkaktuar nga Covid19.
Në spitalin Covid 2gjatë këtyre ditëve po trajtohen më shumë 200 persona me Covid-19, por vetëm gjysma e tyre, ato që kanë bërë tamponin raportohen zyrtarisht. Për rrjedhojë numri i vdekjeve nga Codiv sipas mjekëve është më i lartë se, se shifra zyrtare.
Një numër i madhe personash që kanë Covid nuk arrijnë të bëjnë tamponin në kohë, por sakaq dëmi në mushkëri është krijuar. Ka shumë raste kur ata bëjnë tamponin me vonesë dhe rezultati është negativ, pasi virusi ka pushuar aktivitetin, por duke lënë pasoja afatgjata që kërkojnë trajtim spitalor./Monitor