Pavarësisht dorëheqjes së qeverisë në Beirut vijojnë protestat e dhunshme, ndërsa tensionet janë në rritje një javë pas shpërthimit të fuqishëm në port, ku u vranë më shumë se 200 persona.
Përleshjet shpërthyen pranë ndërtesës së parlamentit, ku demonstruesit hodhën lëndë plasëse, ndërsa policia u përgjigj me gaz lotsjellës.
Ditën e djeshme, kabineti qeveritar libanez paraqiti dorëheqjen.
Një zjarr besohet të ketë shkaktuar shpërthimin e 2,750 ton nitrat amoniumi që ishte ruajtur për gjashtë vjet pa masa sigurie në portin e Beirutit.
Vala e shpërthimit rrafshoi ndërtesat afër dhe shkaktoi dëme të mëdha mbi pjesën tjetër të qytetit, duke lënë qindra mijëra njerëz të pastrehë.
Libani tashmë po lufton me një krizë të thellë ekonomike. Ndërsa, që nga tetori, protestuesit kanë kërkuar rregullimin e plotë të sistemit politik, të cilin ata e fajësojnë për korrupsionin dhe keqmenaxhimin. /abcnews.al