Projekti “100 fushat”, futbolli i njerkës për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit

schedule18:57 - 10 Gusht, 2020

schedule 18:57 - 10 Gusht, 2020

100 fusha futbolli në gjithë vendin, ky është projekti më i madh i Federatës Shqiptare të Futbollit që nuk gjen mbështetje në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit. Kuptohet, sporti vjen i fundit si zakonisht dhe është e qartë.

Shtatorin e vitit 2019, në ministrinë e përmendur më lart shkoi një kërkesë nga FSHF për mbështetjen e projektit të 100 fushave. Me muaj të tërë, asnjë përgjigje. Tipike, nuk është se mund të presësh diçka nga zyrtarë që nuk dihet se kur janë marrë me sport herën e fundit dhe që në këmbë detyrohen të ecin vetëm kur ka fushatë elektorale.

Gjithsesi FSHF ka tentuar sërish të ketë një komunikim dhe kërkesa e dytë është dërguar në muajin shkurt. Muaji më i shkurtër i vitit, kohë e pamjaftueshme sërish për të kthyer një përgjigje. Kërkesa e tretë e qershorit, i ka gjetur me humor të mirë në Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve. Normalisht, pushimet janë përpara dhe kanë pse gëzojnë. Do u largohen shkresave dhe kondicionerit të zyrës.

“Ky projekt nuk mund të mbështetet dot, për shkak të mungesës së fondeve”, ka qenë përgjigja dhe në këtë periudhë krize financiare, me siguri në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit kanë menduar se nuk mund të ankohet njeri dhe të flasë për “luks”.

100 fushat me siguri për zyrtarët e shtetit janë luks, sepse kurrë nuk mund të mendojnë më shumë se sa u lejon partia. 100 fushat janë shëndet, 100 fushat janë mundësi për të rinjtë për të zhvilluar një talent, 100 fushat janë një mundësi për të larguar fëmijët nga rruga, për të prodhuar futbollistë, për t’i dhënë shoqërisë shumë të tjera të mira që në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit as që nuk i dinë dhe duan t’ia dinë.

Dora e shtrirë e FSHF për të bashkëfinancuar këtë projekt madhor, që do t’i jepte futbollit një ndihmë shumë të madhe, ka mbetur në ajër. 100 fushat në mbarë Shqipërinë për momentin janë pezull. Ndërkohë edhe ata fusha me baltë nga kanë dalë shumë futbollistë, janë bërë pallate. I gëzofshim!

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!