Gjykata e Tiranës ka lënë në burg Arsil dhe Sajmir Sherën, dy vëllezërit që ekzekutuan taksistin Abdulla Budllën, pasditen e 3 gushtit në Fushë-Prezë.
Në burg është lënë edhe Gresian Çela, pronari i kompanisë ku autorët e krimit morën me qira automjetin e përdorur në ekzekutimin e 71-vjeçarit.
Gjatë kontrollit në biznesin e tij u sekuestrua një pistoletë, një “Shotgun”, 60 gramë kokainë si dhe një sasi parash në valutë të ndryshme.
Gjatë marrjes në pyetje ai i tha policisë se dy vëllezërit ia kishin marrë makinën me qira mëngjesin e së dielës, me argumentin se u duhej për dasmë.
71 vjeçari Budlla u qëllua me 7 plumba kallashnikovi pasditen e 3 Gushtit teksa kishte parkuar mjetin në anë të rrugës në Fushë-Prezë, pranë kryqëzimit të Rinasit.
Prej vitesh ai punonte në të zezë si taksist. Për vrasjen e tij, dy vëllezërit Shera deklaruan para hetuesve se krimin e kryen për nderin e familjes, pasi i moshuari u kishte ngacmuar nënën dhe motrën./abcnews.al