Nga Xhensila Kodra
Vrasjen e Abdulla Budllës, dy vëllezërit nga Rinasi duket se e kishin planifikuar deri në detaj. Automjetin me të cilin kryen ekzekutimin ata e kishin zbukuruar me dekore dasme.
Sipas hetuesve, kjo formë është përdorur prej tyre për të humbur gjurmët e për të mos u zbuluar nga policia.
Por një kamerë sigurie ka fiksuar lëvizjet e dyshimta të mjetit, si dhe momentet kur makinës i janë hequr dekoret me mbishkrimin në targë “Me trashëgime çiftit”.
Hetimi dhe gjurmimi i policisë zbuloi se makina ishte marrë me qira në biznesin e 29 vjeçarit Gresian Çela, në Fushë-Krujë. Mjeti u gjet dhe u sekuestrua në biznesin e tij, ndërsa Çela u arrestuar për dy vepra penale, prodhimi dhe shitja e narkotikëve dhe armëmbajtje pa leje.
Gjatë kontrollit në biznesin e tij u sekuestrua një pistoletë, një “Shotgun”, 60 gramë kokainë si dhe një sasi parash në valutë të ndryshme. Zyrtarisht policia deklaroi se Çela nuk ka lidhje me vrasjen e Abdulla Budllës, por vetëm me sendet e jashtëligjshme që iu gjetën në biznes.
Gjatë marrjes në pyetje ai i tha policisë se dy vëllezërit ia kishin marrë makinën me qira mëngjesin e së dielës, me argumentin se u duhej për dasmë.
71 vjeçari Budlla u qëllua me 7 plumba kallashnikovipasditen e 3 Gushtit teksa kishte parkuar mjetin në anë të rrugës në Fushë-Prezë, pranë kryqëzimit të Rinasit.
Prej vitesh ai punonte në të zezë si taksist. Për vrasjen e tij, dy vëllezërit Shera deklaruan para hetuesve se krimin e kryen për nderin e familjes, pasi i moshuari u kishte ngacmuar nënën dhe motrën./abcnews.al