Sanksionet amerikane, Kremlini kriminalizon zbatimin

schedule09:37 - 29 Prill, 2018

schedule 09:37 - 29 Prill, 2018

Kremlini ka kthyer në vepër penale implementimin e sanksioneve amerikane në Rusi. Kryeministri Medvedev ka paralajmëruar me ndëshkime serioze kompanitë ruse që i zbatojnë ato.

Kryeministri rus Dmitry Medvedev ka mbështetur idenë e kthimit në vepër penale zbatimin e sanksioneve amerikane nga bizneset ruse. Më 6 prill Uashingtoni vendosi sanksione të reja ndaj disa prej kompanive dhe biznesmenëve më të fuqishëm të Rusisë, aleatë të presidentit Putin, për ndërhyrjen e dyshuar të Moskës në zgjedhjet presidenciale. I pyetur në një intervistë televizive nëse mbështet nismën në fjalë, për të cilën është dërguar një draft në Parlament, Medvedev është përgjigjur pozitivisht. “Sanksionet synojnë të shkatërrojnë sistemin social-politik rus dhe të dëmtojnë ekonominë e individë të caktuar. Në këto kushte, implementimi i tyre nga qytetarë të vendit tonë do të jetë një krim”, ka thënë Medvedev. Kreu i qeverisë ruse, pas presidentit Putin, ka shtuar se askush nuk ka të drejtë të implementojë masat e Shteteve të Bashkuara, nga frika se mos ndëshkohet nga administrata amerikane. Ish-shefi i Kremlinit ka shtuar se qeveria do të mbështesë kompanitë ruse të goditura nga sanksionet për t’u siguruar që të mos ketë shkurtim të vendeve të punës. Ndërsa duke folur për çështje të tjera, ai ka bërë me dije se Rusia është në prag të një vendimi për rritjen e moshës së pensionit. Sa u takon planeve personale për të ardhmen, Medvedev ka thënë se dëshiron të punojë një çdo post që sjell përfitime për vendin e tij. /abcnews.al