Ministria e Shëndetësisë i është përgjigjur deklaratave të Partisë Demokratike se në dy spitalet Covid-3 dhe Covid-4 nuk ka asnjë pacient të shtruar.
MSH thotë se kjo do të ndodhë kur të ezaurohen shtretërit në dy spitalet e hapura.
“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, siguron edhe një herë qytetarët, se asnjë presje nuk ka ndryshuar nga strategjia jonë e përballimit të pandemisë Covid-19.
Siç kemi informuar edhe më herët, Spitalet Covid-3 dhe Covid-4 janë tërësisht të pajisur dhe të gatshëm të presin personelin mjekësor që do të punojë, dhe qytetarët që do të marrin shërbim shëndetësor.
Por, siç e parashikon plani ynë – dhe siç e kërkon logjika – Covid-3 dhe më pas Covid-4, do të hapen pasi të jenë ezauruar shtretërit në Covid-1 dhe Covid-2. Kjo është edhe përgjigja ndaj shqetësimit të ngritur nga Partia Demokratike, se “ende në Covid-3 nuk është trajtuar asnjë pacient me Covid”.
Pacientët do të trajtohet, kur ky spital të hapet.
Ftojmë qytetarët, dhe Partinë Demokratike, që të ndjekin komunikimet e përditshme zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, për t’u informuar”, deklaron MSH./abcnews.al