Milani vijon të kërkojë për një mbrojtës të djathtë dhe Sky Sport raporton se ka marrë përgjigje pozitive nga Serge Aurier, lojtari i Tottenham. 27-vjeçari nga Bregu i Fildishtë është dakord dhe kuqezinjtë po flasin me përfaqësuesin e tij.
Klubi anglez nga ana tjetër kërkon 20 milion euro, që pretendojnë se ua ofron PSG. Milani nga ana tjetër nuk është në kushtet që mund të shpenzojë shumë dhe do mundohet ta marrë mbrojtësin me një çmim të arsyeshëm. Italianët po marrin kohë për të gjetur një marrëveshje që u shkon për shtat, sidomos në një periudhë krize financiare prej pandemisë.
LEAO – Sulmuesi, i blerë për më shumë se 25 milionë euro nga Lille, nuk ka pasur shumë hapësira te Milani këtë sezon. Pavarësisht kësaj ai ka shënuar katër gola dhe trajneri Stefano Pioli është shprehur se portugezi mund të jetë ylli i skuadrës sezonin e ardhshëm.
Juventus po tenton të përfitojë nga kjo situatë dhe ka pasur kontakte me menaxherin e tij, Jorge Mendes, i cili përfaqëson edhe Cristiano Ronaldon. Ai ia ka ofruar bardhezinjve Leaon, gjatë bisedave që ka pasur me drejtorin sportiv, Fabio Paratici. Milani nga ana tjetër nuk ka ndërmend ta shesë, të paktën jo për momentin. /abcnews.al