Arrestohet pas 40 vjetësh vrasësi serial i Kalifornisë

schedule14:46 - 26 Prill, 2018

schedule 14:46 - 26 Prill, 2018

Xhozef Xhejms Deanxhelo, 72 vjeç dhe një ish-agjent policie është arrestuar pas 40 vjetësh nga FBI, si autor i 12 vrasjeve, 45 përdhunimeve dhe 120 grabitjeve në Kaliforni. Ai u identifikua dhe arrestua falë analizës së ADN-së.

Është arrestuar pas 40 vjetësh vrasësi serial i Kalifornisë. Policia dhe FBI arrestuan personin që ka kryer 12 vrasje, 45 përdhunime dhe 120 grabitje. Xhozef Xhejms Deanxhelo, një ish-agjent policie, aktualisht 72 vjeç, kishte krijuar terror në Kaliforni në vitet ’70 – ’80. Përveç identifikimit të portretit të tij, vendimtare ishte dhe analiza e ADN-së.

Për më shumë se 40 vjet, ai ishte një personazh misterioz që vepronte në një zonë të gjerë nga Sakramento deri në Orinxh Kaunti. Çështja u zgjidh pas dekadash falë këmbënguljes së një hetuesi dhe një libri.

Kërkimet për Xhozef Xhejms Deanxhelo nisën në fillim të këtij viti pas punlikimit të librit “Unë do  të largohem në errësirë” i autores Mishel Meknamara, e cila prej vitesh ndiqte rastin e këtij vrasësi serial. Hetuesi Paul Houls, në ndjekje të vrasësit serial, një muaj më parë deklaroi se ai ndiqte lajmet për vrasjet e kryera dhe ndryshonte mënyrën e sulmit të viktimave.

Sipas hetuesit, ai i mbulonte shumë mirë gjurmët, por nuk mori parasysh përdorimin e teknologjisë për gjurmët e ADN-së. Ishte kjo e fundit që policia përdori për ta identifikuar.

Përdhunimi i parë i kryer nga ish-agjenti i policisë daton në 18 Qershor 1976, viktima po flinte me djalin e saj 3-vjeçar, ndërsa bashkëshorti ishte në punë. Autori, i maskuar, lidhi fëmijën dhe më pas përdhunoi gruan. Që nga ai moment ai u bë njeriu më i kërkuar nga policia.

Por pavarësisht kësaj, ai vazhdonte të kryente vrasje, përdhunime dhe grabitje në zona të ndryshme brenda Kalifornisë. Fillimisht viktimat e tij ishin gratë me fëmijë, por pas 1986-s nisi të sulmonte dhe çifte brenda shtëpive të tyre.

Në vitin 2001, FBI kishte ofruar një shpërblim prej 50 mijë dollarësh për këdo që kishte informacion për identifikimin e tij. Tashmë pas 40 vjetësh çështja u mbyll./abcnews.al