Pandemia e Coronavirusit vazhdon ende dhe në disa vende të botës rregullat janë strikte. Amerika Latine është një nga zonat ku virusi po përhapet më shumë tani dhe ku futbolli ende nuk ka rifilluar. Ish-sulmuesi i Manchester United dhe Cityt, Carlos Tevez, është vënë në qendër të kritikave në vendlindjen e tij.
Kjo vetëm për shkak të një fotoje. “Apashi” aktualisht aktivizohet në radhët e Boca Juniors dhe në Argjentinë masat e marra nga qeveria lokale janë ende shumë të rrepta. Një foto e 36-vjeçarit me një grup personash u bë virale në rrjetet social. Duket qartë që Tevez nuk po e respekton distancimin social.
Madje policia trokiti në shtëpinë e tij për ta arrestuar. Nuk mungoi dhe një reagim nga sulmuesi: “Unë jam në karantinë, por njerëzit më ndalojnë herë pas herë për të më takuar. Të dielën po shkoja në kishë së bashku me familjen time dhe disa komshinj më kërkuan një foto.
Pranova dhe më vonë ato u larguan. Unë isha në pronën time prandaj nuk kisha vendosur maskë. Ishte thjesht një foto që zgjati dy sekonda. Ditën tjetër policia erdhi në shtëpinë time me një urdhër arresti, sepse unë kisha shkelur karantinën.
U thashë atyre se ishte thjesht një shaka. Madje një nga ata i kishte thënë se kishim luajtur futboll së bashku, por kjo është një gënjeshtër. Unë vazhdoj të jem në izolim,” deklaron Tevez. /abcnews.al