Arbitrja e futbollit, Kejsi Tafili ishte e ftuar në emisionin “Abc-ja e mëngjesit”, ku rrëfeu eksperiencën e saj dhe përse zgjodhi të punojë në fushën e blertë.
Kejsi, e cila është vetëm 22-vjeçe i është përkushtuar pjesës së gjykimit. Ajo thotë se arriti të realizonte ëndrrën e saj dhe të bëhej pjesë e botës së sportit, megjithëse dëshira për t’u bërë një futbolliste nuk iu plotësua.
“E kam pasur gjithmonë qejf futbollin, tifoze nuk jam. Kjo më ka shtyrë që jo të ndjek rrugën për të qenë futbolliste, por që të jem pjesë e arbitrimit. Nuk e realizova dot të jem futbolliste edhe pse kisha dëshirë.”, tha Kejsi.
Ajo rrëfeu se ka arbitruar një sërë ndeshjesh, nga të cilat nuk mund të veçojë askënd si më të rëndësishmen, pasi të gjitha kanë një rëndësi të veçantë.
Për t’u bërë pjesë e fushës së blertë, 22-vjeçarja rrëfeu se është çertifikuar për arbitrim, ndërsa shtoi se për shkak të këtij profesioni asaj i është dashur që t’i përkushtohet dhe ushtrimeve fizike. /abcnews.al/