Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti këtë të mërkurë ka marrë pjesë në Samitin e Këshillit të Atlantikut ku është shprehur se Kosova ka punuar shumë për integrimin në rajon.
Ndër të tjera në fjalën e tij shefi i qeverisë ka theksuar se një bashkëpunim i mëtejshëm me këto vende do të ishte i shëndetshëm për rimëkëmbjen e ekonomisë, pas Covid-19.
Hoti ka thënë se rajoni i Ballkanit mbetet i fragmentuar, kur është në pyetje integrimi ekonomik derisa shton se ka parë vullnet të liderëve për ta përmirësuar gjendjen.
“Kemi punuar shumë për integrimin e rajonit, por duhet pranuar se rajoni është i fragmentuar, kur është në pyetje integrimi ekonomik. Arsyeja është se ka shumë barriera në aspektin e burokracisë me një numër çështjesh që duhet trajtuar në aspektin e legjislacionit dhe largimit të barrierave, ashtu si edhe në aspektin e infrastrukturës, pra barriera teknike”, ka thënë Hoti.
LEXO EDHE: Rama në Samitin e Ballkanit Perëndimor: Të kompensohemi duke bashkëpunuar pa politizim
Sipas tij, kjo ndihmon në heqjen e barrierave burokratike.
“Është gjë e mirë kjo qasje e bashkëpunimit shumëpalësh dhe ideja se nëse dy shtete kanë marrëveshje dypalëshe, ajo marrëveshje dhe ato kushte duhet të jenë në dispozicion të të gjitha shteteve tjera. Kjo ndihmon në heqjen e barrierave burokratike që kemi. Siç e thashë më herët, ekonomitë tona individualisht janë të vogla në aspektin e fuqisë së tregut dhe kërkesës së tregut. Nëse bashkëpunojmë mund ta plotësojmë njëra tjetrën dhe ta përdorim ekonominë e shkallës”, ka thënë ai. /abcnews.al