Një shqiptar i Maqedonisë bëri ligjin në ndeshjet e fundit të Ligës së Spanjës. Enis Bardhi shënoi dy gola spektakolarë për Levanten, dhe skuadra e tij është shumë pranë mbijetesës.
Nuk ekzistojnë vetëm Mesi apo Ronaldo.
Në Spanjë luan edhe një specialist i goditjeve të dënimit, një djalosh 22-vjeçar lindur në një familje shqiptare të Shkupit.
Enis Bardhi e tregoi sërish gjithë klasin e tij, sapo iu dha mundësia, duke bërë diçka të madhe për veten dhe për Levanten.
Realizoi dy herë nga goditjet standarde në ndeshjen e La Ligës në Bilbao, nga gjuajtjet e dënimit duke ndihmuar ekipin që të fitonte dhe që të kishte mbijetesën fare pranë.
E gjithë mrekullia me emrin Enis Bardhi ndodhi në 3 minutat e fundit të pjesës së parë, fillimisht në të 42-ën, dhe pastaj në të 45-ën.
Golat e tij përmbysën avantazhin e baskëve arritur nga rrjeta e shkëlqyer e Raul Garsisë, gjë aspak e lehtë në stadiumin e zjarrtë të Atletikut.
Edhe pse nuk ka mundur të luajë shumë shpesh, sërish shkupjani e ka treguar veten, duke qenë 3 herë shënues në vetëm 8 ndeshje që ka luajtur në kampionatin spanjoll.
Për fat të keq, këtë herë nuk pati minuta për sulmuesin e kombëtares së Shqipërisë, Armando Sadikun, që e ndoqi krejt ndeshjen nga stoli.
Kur duhen edhe 4 javë deri në përfundim të sezonit, Levante është në vendin e katërt nga fundi, pozicion që të mban në kategori, duke pasur 37 pikë ndaj 28 të Deportivos së La Korunjës. /abcnews.al