Gjykata për Krimet e Rënda përfundoi procesin gjyqësor ndaj katër të pandehurve të dosjes “Treblova”, gjatë arrestimit të të cilëve u sekuestruan gati 2.4 ton kanabis. Togat e zeza i vlerësuan të bazuara pretendimet e prokurorisë për përfshirjen e tyre në kultivimin e bimëve të drogës që trafikohej në Itali nga grupi i “Habilajve”.
Për akuzën e “kultivimit të lëndë narkotike në bashkepunim, në formën e grupit te strukturuar kriminal” dhe “kryerjes së veprave penale nga organizata kriminale, grupi i strukturuar kriminal” të pandehurit u dënuan me 29 vite burg në total. Për të pandehurin Taulant Haxhiraj, gjykata dha 9 vite burg. Shkëlqim Koçiaj dhe Marjus Bajrami u dënuan me nga 8 vite, ndërsa Xhovalin Baco me 4 vjet heqje lirie. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, të pandehurit përfituan uljen e një të tretës së këtyre dënimeve./abcnews.al