Kryeministri i Armenisë ka dhënë dorëheqjen pas protestave masive të opozotës që vijuan për 11 ditë. Ai pranoi se lideri i opozitës kishte të drejtë, se nuk mund të ishte pjesë e zgjidhjes.
Kryeministri i Armenisë, Serzh Sargsyan ka dhënë dorëheqjen. Raporti ka ardhur nga televizioni shtetëror i këtij vendi. Vendimi i tij vjen pas 11 ditëve të mbushura me trazira dhe protesta kundër shefit të qeverisë nga mbështetësit e opozitës, të cilët e akuzojnë atë për kapje të pushtetit. Sargsyan ka shërbyer për 10 vite si President, që është dhe maksimumi i mandateve që lejohet me Kushtetutë për këtë post.
“Protestat në rrugë ishin kundër mandatit tim. Unë po përmbush kërkesën tuaj”, ka thënë ai në një deklaratë. Sargsyan mori postin e kryeministrit, disa javë më parë pasi ushtroi detyrën e presidentit pas dy mandateve radhazi. Njoftimi i ish-shefit të qeverisë së Jerevanit erdhi menjëherë pasi lideri i opozitës, Nikol Pashinyan u lirua nga paraburgimi. Ai u ndalua të dielën pas dështimit të dialogut me Sargsyan.
Njësoj si Pashinyan, dy politikanë të tjerë të opozitës dhe rreth 200 manifestues u arrestuan. Në deklaratën e tij, të publikuar në të gjitha mediat e Armenisë, Sargsyan shkruan: “Po iu drejtohem të gjithë qytetarëve të republikës së Armenisë, për herë të fundit si lider i këtij vendit”. Ndërsa më tej shton: “Nikol Pashinyan kishte të drejtë. Unë e kasha gabim. Situata ka disa zgjidhje, por unë nuk do të jem pjesë e tyre, ndaj po largohem nga drejtimi i zyrës së kryeministrit”. Ndërkohë, manifestimet massive nisën në të gjithë Armeninë, pasi Sargsyan kërkonte që të fuqizonte kompetencat e shefit të qeverisë. /abcnews.al