Ligji për gjuhët në Maqedoni ende në duart e Presidentit Ivanov

schedule11:18 - 23 Prill, 2018

schedule 11:18 - 23 Prill, 2018

Presidenti i Maqedonisë Ivanov vijon të mbajë ende peng ligjin për gjuhët duke mos pranuar ta firmosë atë dhe pse të miratuar për herë të tretë nga parlamenti i vendit. Ekspertët shprehen se kreu i shtetit po shkel ligjin.

Një muaj e gjysmë nga miratimi i tretë i ligjit për përdorimin e gjuhëve në Maqedoni, presidenti i vendit Ivanov nuk ka ndërmend ta firmosë. Ai mbron qëndrimin se ligji është antikushtetues. Nga ana tjetër juristët në vend thonë se në këtë rast vet presidenti Ivanov po shkel kushtetutën, dhe që gjithësesi ekzistojnë disa mënyra për shpalljen e ligjit në Gazetën Zyrtare.

Kryetari i parlamentit Talat Xhaferi u shpreh se kompetencat e Kuvendit nuk mund t’i cënojë asnjë institucion tjetër dhe se pret që së shpejti ligji të hyjë në fuqi. Xhaferi tha se publikimi i ligjit në Gazetën Zyrtare  nuk do të presë presidentin e ri.

Pas refuzimit për herë të parë nga ana e presidentit për të dekretuar ligjin, ai u kthye në Kuvend ndërsa për të opozita kishte parashtruar mbi 35 mijë amendamente. Më 14 mars në një atmosferë të tensionuar mes deputetëve të VMRO-DPMNE-së, konkretisht ish kryeministrit Gruevski dhe kryeparlamentarit Talat Xhaferi, Ligji për përdorimin e gjuhëve u miratua për herë të tretë me 64 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. /abcnews.al